Andis Harasani: Bizneset kanë një të ardhme pas riskut të falimentit

18/04/2014 00:00

Andis Harasani, zotërues i kompanisë Eagle HVAC me  seli në Bruklin të Nju Jorkut, dhe ish deputet i Parlamentit shqiptar, i këshillon pronarët e bizneseve të mos druhen nga rreziku.

“Ajo çfarë quaj si një nga tiparet e  mia më të forta është të qenit njeri që rrezikon. Më ndihmon të bëj përpara e të ngjitem lart në secilin prej profesioneve të mia”.

Por meqë natyra e rrezikut përfshin edhe dështime në disa raste, Harasani thotë se bizneset duhet të jenë të përgatitura të rimëkëmben shpejt e të mësojnë nga gabimet e të shkuarës. Edhe kur një rrezik përfundon me dështim e sjell humbje domethënëse në të ardhura, klientë ose në inventar, kjo s’do të thotë gjithnjë që ai biznes duhet të marrë fund. Ka metoda që mund t’i bëjnë pronarët e zgjuar t’i kapërcejnë dështimet pasi kanë ndërmarrë rreziqe.

Shiko përpara

“Të bazohesh vetëm në të dhënat historike mund të jetë një gabim i rëndë”, shkruan René M. Stulz në Harvard Business Review. Me hyrjen e kompjuterëve, sistemet financiare pësuan një ndryshim të panjohur e tepër të shpejtë në mënyrën e të vepruarit, duke e bërë mbështetjen mbi ngjarje historike jo më të besueshme.

“Të dhënat historike nuk ndihmuan shumë për të llogaritur ndikimin e rënies së çmimit të shtëpive, pasi ato të dhëna nuk ishin regjistruar në një kohë kur edhe pse tregu kishte rënie të mëdha, numri i kredive të këqija ishte tepër i lartë”, thotë Rene Stulz.

 

Pasi flluska e kredive për shtëpi plasi në vitin 2009, kompania e madhe huadhënëse, JPMorgan Chase, pësoi një rënie të aksioneve që ishte rekord për 10 vitet e fundit, me vlera që zbritën deri në 15 dollarë. Menaxherët e rrezikut në këtë kompani u bazuan mbi një version të modelit “Vlerë në Rrezik”, i cili bazohet shumë në të dhënat historike dhe mund të ketë mbuluar problemet tregtare brenda vetë kompanisë.

JPMorgan Chase e ndryshoi modelin e analizimit të rrezikut dhe ka parë rimëkëmbje të forta. Pasi mori fonde shpëtimi nga qeveria federale, kompania arriti t’i rikthejë të gjitha e madje të ngjitet në nivelet e saj më të larta. Aksionet u rritën në 60 dollarë muajin që shkoi, duke thyer rekordin prej 52 dollarëve të vënë në vitin 2007, gjatë përhapjes së madhe të kredive të këqija.

Bëj pyetje të vështira dhe dëgjo përgjigjet

Pasi një rrezik rezulton me dështim, ngritja e pyetjeve të vështira mund të ndihmojë me rimëkëmbjen dhe parandalimin e katastrofave në të ardhmen, sidomos kur biznesi nis të shfaqë shenja të reja rritjeje. Tania Beder, Drejtoreshë dhe Shefe Ekzekutive (CEO) a SBCC Group, tha për Fiscal Times se njerëzit shpesh kanë prirje të mos i bëjnë pyetje vetes për arsyet e rritjeve të vogla të të ardhurave.

“Ajo që ndodh shumë shpesh kur një firmë është duke ecur mirë, ose kur një fushë tregtie duket se e menaxhon rrezikun në mënyrë të qëndrueshëm dhe sjell fitime, është që njerëzit nuk ndalojnë e të pyesin veten se për ç’arsye po fitojnë më shumë se të tjerët”, thotë Beder. “Kur një biznes ecën mirë, me kalimin e kohës shtohen rreziqet e vetëpëlqimit dhe asnjë s’e merr mundimin të bëjë pyetjen më të madhe e më të rëndësishme – çfarë llogaritjesh fshihen pas modelit tonë të biznesit, dhe ç’ndodh po të gabojmë?”

Gjatë punës si bankier tregtar, Andis Harasani ka ndihmuar shumë kompani të rimëkëmben pas një rreziku që ka rezultuar me dështim. Një këndvështrim i freskët nga dikush jashtë kompanisë mund të ndihmojë në gjetjen e pikave të dobëta të një plani veprimi.

Mëso nga dështimi

Një model biznesi që është i aftë të përshtatet është tepër kritik për suksese afatgjata. Tregjet dhe demografia ndryshojnë vazhdimisht dhe bizneset e qëndrueshme mësojnë nga taktikat e tyre të dështuara.

“Sa më shumë t’i pranosh dështimet e vogla, sa më shumë t’i trajtosh si mënyra për ta përmirësuar sistemin, aq më pak gjasa do të ketë ai sistem të përmbyset”, thotë Shikhar Ghosh, profesor prej shumë vitesh në Shkollën “Harvard” të Biznesit.

Themeluesi i Digg.com, Kevin Rose, tha se faqja e tij u la pas nga manovrat e rrjeteve shoqërore si Facebook, Twitter dhe Reddit. Një faqe e parapëlqyer kryesisht nga dashamirësit e teknologjisë, Digg korri sukses me hyrjen në treg në vitin 2004, por pësoi rënie dramatike të vizitave pasi bënë disa ndryshime në faqe.

“Po përpiqeshim me dëshpërim të gjenim një mënyrë për të rikthyer vizitorët. Kur arritëm ta ndreqim, një pjesë e madhe e komunitetit të vizitorëve ishte revoltuar tashmë. Për t’i dhënë ngritjen e duhur, faqja duhej të binte në duart e njerëzve që e kuptonin natyrën e përdorimit të internetit në kohë reale”, tha Rose.

Edhe pse Rose u tërhoq nga Digg, faqja u rindërtua duke dhënë përmbajtje më të mirëmbajtur se ajo që ishte përsëritur në fillim. Rose mori një vend të rëndësishëm bashkëpunimi tek gjiganti Google. Rimëkëmbja nga një dështim mund të kërkojë sakrifica, ose madje dhe shkurtime, por ato mund të ofrojnë gjithashtu edhe informacione të vlefshme që mund të përdoren në përpjekje të ardhshme.

“Ka gjithnjë një mënyrë për ta ndryshuar fatin e një kompanie, nëse ke vullnetin për të bërë ndryshime e për t’i vënë këto në zbatim. Duhet të kesh vullnetin për t’u angazhuar”, tha Andis Harasani.

Burimi: Wamda

Top Channel