Dopingu në sport, WADA: Rusia më shumë raste në vitin 2014

28/04/2016 00:00

Rusia ishte vendi që shënoi më shumë raste dopingu në vitin 2014. Ky është raporti i publikuar nga Agjencia Botërore Antidoping ku theksohet se nga 1693 rezultate pozitive në testet antidoping, 148 u përkasin sportistëve rusë.

Sipas këtij raporti, në vendin e dytë në këtë aspekt qëndron Italia me 123 raste, ndërsa e treta është India me 96 raste, ndërkohë që klasifikimi vijon me Belgjikën, Turqinë, Australinë, Kinën, Brazilin e Korenë e Jugut.

Ajo që të bën përshtypje në raportin e WADA është se numri total i rasteve me doping në 2014 është 13% më i ulët në krahasim me 2013.

Sportet ku janë vënë re edhe rastet më të shumta të dopingut janë atletika dhe “bodybuilding” respektivisht me 248 dhe 225 rezultate pozitive në teste. Më pas vijojnë çiklizmi, peshëngritja, futbolli, mundja, boksi, regbija dhe sportet ujore.

WADA, në raportin e saj, publikon gjithashtu së në vitin 2014 u kryen rreth 218 mijë kontrolle nga të cilat rreth 143 mijë u kryen nga Agjencitë Kombëtare Antidoping.

Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit ishte organizata e pavarur që kreu më shumë teste antidoping me rreth 9500 të tilla, ndërsa nga Agjencitë Kombëtare, është ajo kineze që kryeson për kontrollet e ushtruara antidoping me rreth 13 mijë të tilla, ndërkohë që Rusia kreu mbi 12 mijë të tilla.

Top Channel