NBA, Cleveland Cavaliers në finalen e madhe

28/05/2016 12:05

Cleveland Cavaliers është skuadra e parë që pret biletën për në finalen e madhe të NBA. Skuadra nga Ohajo fitoi ndeshjen e gjashtë me Toronton 113-87, për të mbyllur të gjitha llogaritë e finales së Konferencës së Lindjes me rezultatin e përgjithshëm 4-2.

Në “Air Canada Center”, Cleveland u drejtua drejt suksesit nga LeBron James që shënoi 33 pikë e rrëmbeu 11 topa në tabelë. Por nuk ishte më pak as Irving, i cili e mbylli këtë takim me 30 pikë. Cleveland e sheh veten në finalen e madhe të NBA për të dytin vit radhazi, ndërsa për yllin e kësaj skuadre, James, kjo është hera e gjashtë radhazi që do të luajë në një finale të tillë, duke barazuar legjenda të NBA si Bill Russell dhe Bob Cousy.

Tashmë, ajo që shpreson “The King” është që të ndihmojë skuadrë e tij për të fituar titullin saj të parë në NBA, si dhe të rikthejë festimet në këtë qytet, që mungojnë që nga vitin 1964, kur skuadra e Browns fitoi titullin e fundit në NFL.

Cleveland tashmë pret me qetësi skuadrën kundërshtare që do të dalë nga sfida mes Oklahomës dhe Golden State, që kryesohet 3-2 nga Thunder. Nëse Warriors do të mund të përmbysë disavantazhin dhe të fitojë këtë seri përballjesh, atëherë do të kemi një përsëritje të finales së vitit të kaluar, e fituar 4-2 nga Golden State.

Top Channel