Themeluesit e BE-së: Presion Britanisë për të dalë sa më shpejt

25/06/2016 00:00

Vendet themeluese të Bashkimit Europian dëshirojnë që Londra të nisë sa më shpejt negociatat për të dalë nga blloku.

Ka qenë ky mesazhi që ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier ka dhënë pas mbledhjes me homologët e 5 vendeve të tjera që 60 vjet më parë themeluan Unionin.

Shefi i diplomacisë gjermane ka bërë me dije se Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu kanë zgjedhur të ushtrojnë presion ndaj qeverisë britanike, për të shmangur tejzgjatjen e tranzicionit të largimit, pas referendumit të 23 qershorit.

“Negociatat duhet të fillojnë sa më parë”, ka thënë Steinmeier, i rrethuar nga homologët europianë dhe flamujt e kaltër të Unionit.

Ndërsa ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders ka thënë se, kontinenti nuk mund të pranojë një vakum politik. “Kjo nuk është një çështje biznesi si të tjerat”, ka thënë Koenders.

Ndërkohë, nga Mbretëria e Bashkuar, Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon ka deklaruar se do të kërkojë “bisedime të menjëhershme me Brukselin, për të mbrojtur vendin e Skocisë në BE”.

Top Channel