Trashëgimia e Beratit, restaurohen kisha e Shën Triadhës dhe muzeu

25/06/2016 00:00

Ka përfunduar rikonstruksioni i jashtëm dhe ai i kupolës në Kishën e Shën Triadhës, në Kalanë e Beratit, e cila ndërhyrjen e fundit e pati rreth 36 vite më parë.

“Jemi në fund të restaurimeve të kishës së Shën Triadhës, e cila që në fillim të viteve ‘70 nuk ka njohur asnjë ndërhyrje. Ishte në një gjendje që pa frikë mund të themi se kishte mbirë pema brenda dhe kishte dalë mbi çati. Drejtoria rajonale e Beratit, pasi bëri konsolidimin e mureve të kalasë ka mbaruar sot restaurimin e plotë të Kishës, të kupolës dhe strukturës, duke bërë vërtet një restaurim model edhe nga pikëpamja cilësore, por edhe duke tërhequr gjithmonë e më shumë turistë”, deklaroi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Krahas kishës, edhe Muzeu Ikonografik “Onufri” i është nënshtruar gjithashtu restaurimit. Ai tashmë ka një sallë të re ekspozimi, si dhe mundësinë e një audio-guide në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe italisht, si një risi për turistët dhe vizitorët.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës vizituan mjediset e muzeut dhe u takuan me drejtuesin e tij, i cili i informoi mbi punën e realizuar.

“Ka pasur një fond prej 173 objektesh, ikonash dhe objekte të tjera liturgjike dhe shërbese. Sot, pas përpjekjeve që kemi bërë së bashku për pasurimin e fondit me 20 objekte të tjera të gjitha të dorës së parë, ka 193 objekte. Jemi në pjesën, e cila është përshtatur për ekspozitën për vendosjen e koleksionit të Muzeut Onufri. Janë ikona që datohen nga shekulli i 14, deri në fund të shekullit të 19”, tha drejtuesi i muzeut.

Restaurimi i kishës dhe muzeut pritet të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj, të cilët në dy vitet e fundit janë rritur ndjeshëm, nga 7.400 në 2013, në 25 mijë ne 2015.

Top Channel