Flamurtarja e Rios, Luiza Gega merr në dorëzim flamurin

23/07/2016 00:00

Nënkampionia e Europës në atletikë Luiza Gega do të jetë sportistja që do të mbajë flamurin kuqezi gjatë parakalimit të ekipit shqiptar në Lojërat Olimpike Rio 2016.

“Me zi pres që ta përjetoj atë moment. Ju premtoj se do të mundohemi dhe do ta përfaqësojmë sa më denjësisht flamurin tonë në Rio 2016”, shprehet Gega.

Për të dytin edicion radhazi, dorëzimi i flamurit shqiptar nuk u bë nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani, por nga kreu i ministrisë së sporteve. Burime pranë Komitetit Olimpik pohuan për Top Channel se kreu i shtetit ka nxjerrë pushimet si justifikim për mospjesëmarrje në këtë aktivitet.

Në bazë të protokollit, pas presidentit radhën e kishte kreu i kuvendit, por për shkak të impenjimeve të tij për reformën në drejtësi, dorëzimi i flamurit u bë nga ministrja e Sporteve Nikolla.

“Ne emër të qeverisë shqiptarë, jo vetëm ju kërkojmë ndjesë për atë që ju ka munguar. Por, ajo që është shumë e rëndësishme është vullneti i palëkundur i kësaj qeverie për të mbështetur sportin për të mësuar që edhe shumë sportistë të tjerë të përfaqësojnë Shqipërinë dhe kombin tonë në ngjarje kaq shumë të rëndësishme”, shprehet ministrja Nikolla.

“Sporti kërkon gjithmonë fitore dhe ne duam të fitojmë. Por nuk është vetëm kjo, ne synojmë të fitojmë dhe të marrim medaljen e parë të artë, pse jo në Rio 2016. Ju premtojmë se do të bëjmë maksimumin. Në radhë të parë do të luajmë pastër”, thotë Viron Bezhani, president i KOKSH.

Në këto lojëra olimpike, Shqipëria do të marrë pjesë me 5 sportistë. Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj në Atletikë, Nikol Merizaj dhe Sidni Hoxha në Not dhe Briken Calja në peshëngritje.

Top Channel