Shkodër, 3 të arrestuar për pengmarrje

23/07/2016 00:00

Tre persona janë vënë në pranga nga Policia në Shkodër pasi dyshohet se kanë marrë peng një person për disa orë, për shkak të një borxhi të pakthyer.

Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg” për 3 shtetas, vëllezërit Sandër e Pëllumb Shtogaj, si edhe miku i tyre Mendim Isufaj, pas kërkesës së Prokurorisë së Shkodrës.

Nga hetimet e Prokurorisë së Shkodrës rezulton se vëllezërit Sandër e Pëllumb Shtogaj, si edhe miku i tyre Mendim Isufaj, kanë marrë peng gjatë natës shtetasin Z.K. më 10 shkurt të këtij viti. Ky i fundit kishte marrë tek vëllezërit Shtogaj shumën 2000 euro, të cilën duhej t’ua kthente me interes të lartë.

I dëmtuari Z.K. nuk u është përgjigjur në kohë për kthimin e borxhit, së bashku me interesa dhe për këtë arsye, mbrëmjen e 10 Shkurtit ai është rrëmbyer dhe mbajtur peng për disa orë nga të dyshuarit. Z.K. është liruar, pasi ai ka pranuar të nënshkruajë një kontratë noteriale, në bazë të të cilës u detyrohej vëllezërve Shtogaj në shumën prej 2.5 milionë lekë të reja, pra rreth 10 herë më shumë se sa shuma reale që kishte marrë borxh.

Top Channel