Raporti i OKB: Assad përdori armë kimike; Rusia e kundërshton

31/08/2016 00:00

Rusia nuk i pranon gjetjet e hetimit të udhëhequr prej Kombeve të Bashkuara, që doli në konkluzionin se qeveria siriane kishte përdorur armë kimike kundër civilëve gjatë një prej sulmeve të forcave besnike të Assadit.

Një raport i javës së kaluar njoftonte se gazi klorin ishte përdorur nga ushtria siriane në dy raste. Por Rusia, një aleate e ngushtë e Assadit, tha përpara Këshillit të Sigurisë së OKB-së se mbeten për t’u qartësuar një sërë çështjesh dhe dyshimesh.

Britania e Madhe dhe Franca, të cilat mbështesin rebelimin kundër presidentit Assad, kanë bërë thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Kjo, bazuar në rezolutën e shtatorit të vitit 2013, e cila citonte ndër të tjera se Këshilli i Sigurisë do të ndërmerrte masa sipas kapitullit 7 të Kartës së OKB-së, që lejon edhe ndërhyrjen ushtarake, në rastin e “përdorimit të armëve kimike nga cilado palë” në konfliktin civil në Siri.

Rezoluta, e cila miratonte shkatërrimin e sasisë së deklaruar të armëve kimike të Sirisë, u miratua një muaj pasi qindra njerëz u vranë pas hedhjes së bombave të mbushura me gazin, në përbërje me agjentin nervor sarin, në periferitë e kontrolluara prej rebelëve në Damask.

Fuqitë perëndimore thanë se vetëm forcat qeveritare mund t’i kenë kryer ato sulme, por Assadi dhe Rusia kanë fajësuar rebelët për ato sulme.

Në gusht të vitit 2015, pas sulmeve të tjera vdekjeprurëse me armë kimike në zonat e rebelëve, Këshilli i Sigurisë ngriti një Mekanizëm të Përbashkët Hetimor (JIM) për të identifikuar përgjegjësit e këtyre sulmeve.

Ekipi ndërkombëtar i inspektorëve mori në shqyrtim 9 raste nga 7 qytete të ndryshme dhe përcaktuan se Forcat Ajrore siriane fshiheshin pas dy sulmeve me gaz klorin, pikërisht në Talmanes më 21 prill 2014 dhe në Sarmin më 16 mars 2015, ndërkohë që militantët xhihadistë të Shtetit Islamik kishin kryer një sulm ku përfshihej edhe gazi mustard me përmbajtje sulfuri.

Klorina është një lëndë kimike dypërdorimshe. Ajo ka shumë funksione legjitime industriale, por përdorimi i saj si armë ndaj dikujt tjetër është e ndaluar nga Konventa e Armëve Kimike (CWC). Nëse përqëndrime të mëdha të saj futen në mushkëri, ajo shkakton vdekjen e menjëhershme.

Në një takim të Këshillit të Sigurisë gjatë së martës, përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara, Samantha Poëer e cilësoi raportin e “JIM” si një pikë referimi historike, duke bërë thirrje edhe për veprime të menjëhershme.

“Ky është i pari konfirmim zyrtar i pavarur i asaj që shumë prej nesh kanë ofruar prova të qenësishme prej një kohe të gjatë, dhe është një provë e qartë e përdorimit të armëve kimike nga regjimi sirian”, tha ajo.

Megjithatë, ambasadori rus Vitaly Churkin këmbënguli se ishte shumë herët për të diskutuar sanksionet. “Qartësisht duket si një provë e pakundërshtueshme. Ne e dimë se klorina me shumë mundësi është përdorur dhe për këtë ka pasur gjetje edhe të mëhershme, por kemi vetëm ‘tymin’ dhe jo gjurmë të armëve që janë përdorur”, tha ai.

Top Channel