Gjermania fiton ndaj Finlandës, tërhiqet Schweinsteiger

31/08/2016 00:00

Kampionët në fuqi të botës ndonëse luajtën me skuadrën e tyre të dytë mbyllën fazën përgatitore me fitoren minimale 2 – 0 ndaj seleksionit të Finlandës. Më shumë sesa për rezultatin takimi miqësor me ekipin skandinav do të mbahet mend si ndeshja e fundit e kapitenit Bastian Schweinsteiger me përfaqësuesen e Gjermanisë.

12 vjet pas debutimit me “panzer”-at, 32-vjecari bavarez zhvilloi ndeshjen e lamtumirës në një stadium ku ishin të pranishëm rreth 31 mijë spektatorë, me trajnerin Joachim Low që i dha mundësinë për të debutuar 20-vjeçarit Niklas Sule.

Në Monchengladbach “die mannschaft” zhvilloi një ndeshje pozitive duke kontrolluar më së miri lojën e skuadrës kundërshtare. Sa për statistikë Finlanda paraqitej në këtë takim pas 4 barazimeve radhazi në ndeshjet zyrtare dhe Gjermania nuk fitonte ndaj ekipit skandinav prej plot 17 vjetësh.

Pas një pjese të parë pa gola dhe me disa raste të mira për gjermanët, më pjesën e dytë barazpesha zgjati vetëm 10 minuta, sepse Gjermania kaloi në epërsi, kur pas një krosimi të Mario Gotze-s nga e djathta Volland la topin për Max Meyer, që nuk e pati aspak të vështirë për të shënuar.

Momenti më emocionues ishte në të 68-n, kur Schweinsteiger doli nga fusha i përlotur, duke e ndalur historinë e tij me përfaqësuesen te ndeshja e 121 me kombëtaren, me të gjithë në këmbë duke duartrokitur dhe me fansat që e nderuan kapitenin me parullat e tyre “danke” apo “servus Basti”.

Në të 77-n mbrojtësi Arajuuri vulosi rezultatin, teksa devijoi në rrjetë një tentativë nga e majta të Ozil për të krosuar.

Gjermania do të nisë aventurën për mbrojtjen e titullit më datë 4 shtator në Oslo përballë Norvegjisë, ndërsa seleksioni i Finlandës që siç dihet është në një grup me përfaqësuesen e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në Turku të hënën e ardhshme, pikërisht ndaj ekipit të Albert Bunjakit, në sfidën e parë të futbollit kosovar në një kompeticion zyrtar.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel