Inter shpërfytyrohet në Europë, mposhtet 3-1 në Pragë

29/09/2016 00:00

Një bamirëse, kështu e kanë quajtur versionin europian të Interit, mediat italiane. Zikaltrit, pas humbjes së pësuar në shtëpi nga Hapoel Beer Sheva, mposhtet edhe në transfertën çeke me Spartën e Pragës, e cila vinte pas humbjeve me Southampton dhe Slavian e Pragës, e me një trajner të ri.

Një pjesë e parë për t’u harruar, që italianët e kanë konsideruar si për të qeshur, vendoset gjithçka në takimin e dytë të fazës së grupeve, falë dy golave të shënuar nga Vaclav Kadlec për vendasit. Në pjesën e dytë, Palacio ndez shpresat për Interin, por goli i tij rezulton vetëm një flakë kashte, pasi Ranocchia merr karton të kuq dhe Holek mbyll përfundimisht takimin me rezultatin 3-1.

Pas këtij takimi, Interi gjendet në vendin e fundit me zero pikë, sigurisht pas vetëm dy javësh, por tani mendohet vetëm mrekullia për të shpresuar në kualifikimin e zikaltërve.

Ndërkohë, futbolli italian mund t’i gëzohet triumfit me goleadë 5-1 të Fiorentinës ndaj Karabakut të Ansi Agollit. Ekipi “viola” vuan në fillim, por më pas nuk përmbahet. Kundër azerëve rikthehen te fitorja dhe te golat, duke numëruar tashmë 4 pikë në klasifikim, po aq sa PAOK-u i Selanikut.

Sousa hedh në fushë një formacion shumë sulmues, me Babacar dhe Kalinic në sulm, Tello dhe Bernardeschi në krahë, respektivisht djathtas e majtas. Ndryshe nga azerët, që luajtën me një sulmues të vetëm, Reynaldo, i mbështetur nga krahët nga Dani Quintana dhe Ismayilov. Agolli luajti për 90 minuta, por pa mundur të ndalte “furinë” e ekipit nga Firence.

Top Channel