De Biasi “zbërthen” të ardhmen: Dua të respektoj kontratën me Shqipërinë

29/09/2016 00:00

Në fokus ishte një opinion mbi ekipet italiane pjesëmarrëse në kupat europiane, por kulmi i Gianni De Biasit në karrierë mbetet kombëtarja shqiptare. Tekniku nga Sarmede u pyet në një intervistë për portalin sportiv “Tuttomercatoëeb” edhe për ecurinë te kuqezinjtë, ofertat e përfolura së fundmi dhe kualifikueset e Botërorit.

“Kemi një seri ndeshjesh, nga të cilat e para u duk e lehtë. Tani kemi Spanjën, që është rikthyer në nivelet e pak viteve më parë dhe që ka vërtet futbollistë të mëdhenj në organikën e saj. Koefiçenti teknik i lojtarëve të Spanjës është i jashtëzakonshëm, sikurse emrat e tillë si Diego Costa, David Silva apo Jordi Alba”, tha trajneri De Biasi.

“Nuk kam pasur asnjë ofertë nga Dinamoja e Zagrebit, për më tepër që unë kam një kontratë me FSHF-në dhe jam i lumtur që drejtoj kombëtaren shqiptare. Kam ndërmend që të respektoj impenjimin tim”, tha tekniku italian i kuqezinjve.

Ai pritet që pas pak ditësh të zyrtarizojë edhe listën me futbollistët, që do t’u besojë për impenjimin e dyfishtë zyrtar të muajit tetor. Në fillim Lihtenshtajni dhe më pas Spanja për kualifikueset e Botërorit. Shqipëria ka marrë 3 pikë, pas përballjes së parë që zhvilloi në Shkodër, ndaj Maqedonisë.

Top Channel