TEC-i i Vlorës, gjiganti energjitik i ‘fjetur’

29/09/2016 00:00

Kriza energjitike e vitit 2002 e detyroi qeverinë e asaj kohe që t’u drejtohej gjithnjë e më shumë burimeve alternative të energjisë elektrike, për të mos u varur vetëm tek reshjet dhe prurjet e lumenjve.

E ky drejtim prodhoi fillimisht projektin dhe më pas realizimin e Termocentralit të Vlorës, një vepër që megjithëse ka thithur dhe vazhdon të harxhojë para nga buxheti i shtetit, ende nuk është vënë në punë.

Fiks Fare solli këtë të enjte një përmbledhje të shkurtër për historikun e këtij TEC-i, që nga premtimi i 2004 i socialistëve për vënien në punë brenda dy viteve, pasuar nga ai i 2005 nga demokratët, e sërish në 2007, e kështu me radhë.

Premtimet kanë mbetur vetëm premtime dhe TEC-i që duhet të zgjidhte krizën energjitike të atyre viteve, jo vetëm që nuk funksionon, por sot është ende në mirëmbajtje, ose konservimi, siç njihet në gjuhën inxhinierike.

Në 2007, ish-kryeministri Sali Berisha do të lëvdonte punën e kompanisë kontraktore duke deklaruar:

“Ka sjellë një teknologji që garanton standarde dy herë më të larta se standardet e vendosura nga BE”.

Por në 2009 TEC-i pëson defektin e parë, që do të pasohej edhe nga një tjertër disa muaj më vonë, që ishte akoma më i rëndë. Duke bërë një përllogaritje të faturës totale, Fiks Fare thotë se ajo ka kapur deri më tani, duke përfshirë edhe koston e mirëmbajtjes ndër vite një vlerë prej 130 milionë eurosh.

Nga kjo shumë, 100 milionë euro janë marrë kredi nga Banka Botërore dhe Qeveria shqiptare vazhdon të paguajë 10 mln euro në vit këste për këtë kredi.

14 vite nga projektimi dhe realizimi janë shpenzuar miliona euro që vazhdojnë të shtohen, pasi siç thonë inxhinierët e mirëmbajtjes së aparatorave, kostoja vjetore shkon në 1 milionë euro për të mbajtur në ‘agoni’ një vepër energjitike të trumpetuar fort nga politika, por që nuk prodhon energji.

Fiks Fare u interesua tek KESH dhe tek Ministria e Energjitikës duke u dërguar një pyetje: A është më mirë që ky TEC të jepet me koncesion? KESH nuk e përjashton këtë, por thotë se është një vendim që i takon Qeverisë.

Në përgjigjien e kthyer për Fiks Fare, as Ministria e Energjitikës nuk e përjashton këtë mundësi dhe thotë se ka një sërë kompanishë ndërkombëtare që kanë shfaqur interesin për riparimin, mirëmbajtjen dhe operimin e TEC-it. Por Ministria shton se paralelisht me këtë, po konsiderohet edhe mundësia për ta kthyer me gaz këtë TEC, duke përfituar kështu nga kalimi i gazsjellësit TAP nëpër vendin tonë.

Me naftë apo me gaz, e vërteta është që TEC-i i Vlorës sot është ende në gjumë me një kosto që ka kapur 178 miliardë lekë të vjetra, thuajse 100 miliardë më shumë nga vlerësimi fillestar i projektit.

Top Channel