Milo Gjukanoviç, një ish-basketbollist nga qyteti i Nikshiqit e student turizmi, karrierën e ka nisur në Partinë Komuniste të ish-Jugosllavisë. Ishte vetëm 26 vjeç, kur filloi aktivitetin e një revolucioni në vitin 1989, duke mbështetur atëherë edhe Slobodan Milosheviçin.

Dy vite më vonë, në zgjedhjet e vitit 1990 korri fitoren më të madhe, duke fituar 83 deputetë nga 125 sa kishte Parlamenti i Podgoricës. Kryeministri më i ri në Europë mbajti marrëdhënie të mira me Beogradin, derisa e kuptoi se kjo shoqëri mund t’i shkaktonte dëm.

Pas disa gabimeve, në vitin 1999 i hapi dyert për kosovarët që arrinin në këtë shtet, ndërkohë që vendi i tij ishte bashkë me Serbinë që i dëbonte ata. Në vitin 2006, në referendum arriti të rikthejë pavarësinë e Malit të Zi, pavarësisht rezistencës së madhe, pasi gjysma e malazezëve deklarohen si serbë, vite përballje me Serbinë dhe një imazhi jo shumë të mirë, pas dyshimeve për lidhje me mafian e duhanit dhe investigimeve që u bënë edhe nga prokurorët italianë në Bari.

Mali i Zi, për një periudhë ishte kthyer në një agjenci patundshmërish për pasanikët rusë. Kjo solli një ekspansion të shkurtër dhe stanjacion më të gjatë. Rusët kanë shkolla dhe mediat e tyre në këtë shtet. “Duma” ruse ishte shqetësuar, megjithatë Mali i Zi mori kandidaturën për në Bashkimin Europian dhe ftesën për në NATO. Gjukanoviç u përball me protesta të shumta të opozitës, një pjesë e së cilës lidhet me qëndrime proruse dhe proserbe.

Zgjedhjet u zhvilluan nën hijen e arrestimeve të 20 shtetasve serbë, që dyshohej se kishin ardhur për të krijuar incidente dhe për të rrëmbyer Gjukanoviçin. Njeriu që udhëheq shtetin e vogël të Ballkanit prej 25 vitesh, beson se për një mandat do të ketë në duar çelësin e Brukselit. Ai ka qenë idhull i shumë njerëzve dhe homologëve në rajon.

Top Channel