Napolit i mjaftojnë 5 minuta për të mposhtur Interin, zëvendësohet Hysaj

02/12/2016 00:00

Napolit i kanë mjaftuar vetëm 5 minuta për të hedhur hapat drejt një 3-pikëshi të sigurtë në “San Paolo” kundër Interit, mbrëmjen e kësaj të premtej.

Dy gola të shpejtë nga Zielinski (2’) dhe Hamsik (5’) bënë që napolitanët të mos e kishin edhe aq të vështirë të përballonin 85 minutat e tjera të sfidës ndaj një skuadre zikaltër që vinte me rezultate pozitive dhe me një lojë të përmirësuar nën drejtimin e Stefano Piolit.

Gjithsesi, Interi nuk mundi të bënte asgjë. As në pjesën e parë dhe as në 45 minutat e dyta të takimit, kur pësuan madje edhe golin e tretë, me autor Insigne.

Një fitore e rëndësishme kjo për napolitanët, në ndeshjen e parë të javës së 15 të Serie A. Nga ana tjetër, kjo është humbja e gjashtë për zikaltrit e Interit, pavarësisht emrave të rëndësishëm në ekip, për të cilët u shpenzuan miliona euro gjatë merkatos së verës.

Për t’u theksuar, zëvendësimi i Elseid Hysajt në minutën e 61-të të lojës, i cili vinte nga një problem në ije dhe ishte në dyshim për t’u aktivizuar.

Top Channel