Donald Trump nevrikos Kinën

03/12/2016 00:00

Premtoi se do nuk do të ndjekë rregullat tradicionale në Shtëpinë e Bardhë dhe njërin prej këtyre rregullave e ka thyer ende pa marrë mirë detyrën.

Donald Trump ka telefonuar drejtpërdrejtë Presidenten e Tajvanit duke shkelur një parim të vendosur që në vitin 1979 që synonte zbutjen e tensioneve me Kinën, e cila e konsideron ishullin provincë të saj.

Telefonata e pazakontë u krye ditën e premte. Trump njoftoi përmes rrjeteve sociale se Presidentja Tsai Ing-wen e kishte telefonuar për ta uruar për fitoren e zgjedhjeve. Ai tha shkurtimisht se i kishte kthyer urimin duke e përgëzuar atë për fitoren në muajin janar dhe se kishin biseduar për një bashkëpunim me të ngushtë në çështjet ekonomike dhe ato politike.

Ashtu siç pritej reagimi i Kinës mbërriti menjëherë. Ministri i Jashtëm Wang Yi e cilësoi telefonatën një lëvizje dinake të Tajvanit.

Korrespondentja e BBC-së në Pekin thotë se lëvizja e Presidentit të zgjedhur për të anashkaluar protokollin 40-vjeçar të Shteteve të Bashkuara, që i ndalon një Presidenti apo një Presidenti të zgjedhur që të flasë drejtpërdrejtë me Presidentin e Tajvanit, me gjasa do të shkaktojë reagime të forta në Kinë.

Që prej fitores një muaj më parë, në ekonominë e dytë më të madhe në botë e kanë të vështirë të kuptojnë se kush e këshillon Donald Trump për politikat në Azi dhe po kaq të vështirë edhe të njohin qëndrimin e Presidentit të zgjedhur në raport me Kinën.

Kritikave për telefonatën vetë Donald Trump iu përgjigj menjëherë dhe po përmes rrjeteve sociale.

“Për t’u habitur sesi Shtetet e Bashkuara i shesin Tajvanit çdo vit miliarda dollarë armatime ushtarake dhe unë nuk duhet të pranoj një telefonatë urimi”, shkruan ai jo pa ironi.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel